BB: Shqipëria shpenzon shumë për transportin, por projektet mbeten me cilësi të dobët
Raporti i Bankës Botërore thekson se investimet e larta në transport nuk po përkthehen në infrastrukturë cilësore dhe efikase për ekonominë.
6 për qind e PBB për investime, por rrjet problematik
Një studim i ri i Bankës Botërore, “Albania Public Finance Review 2025”, ngre shqetësime për mënyrën si përdoren fondet publike në Shqipëri, veçanërisht në sektorin e transportit. Sipas raportit, vendi ka orientuar gati 6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto drejt investimeve publike, por rrjeti i transportit vijon të përballet me probleme të theksuara.
Rrugët karakterizohen nga gjendje e dobët, mbingarkesë trafiku dhe ndotje, ndërsa transporti hekurudhor dhe ai detar mbeten të kufizuar nga infrastruktura e amortizuar. Raporti thekson se përmirësimi i cilësisë së investimeve në transport është thelbësor për rritjen ekonomike dhe afrimin me Bashkimin Europian.
Humbje nga jo-efikasiteti
Banka Botërore vlerëson se eliminimi i jo-efikasitetit në investimet infrastrukturore mund të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e përgjithshme të infrastrukturës. Sipas analizës, përmirësimi i efikasitetit të shpenzimeve në energji dhe transport mund të rrisë indeksin e infrastrukturës me deri në 18.6 për qind, duke përmirësuar konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe duke ulur kostot për bizneset dhe qytetarët.
Megjithatë, raporti paralajmëron për rreziqe fiskale që lidhen me detyrimet e ndërmarrjeve shtetërore dhe partneritetet publike-private, veçanërisht në sektorët e energjisë dhe transportit. Efikasiteti i dobët i investimeve rrit presionin mbi financat publike dhe kufizon ndikimin e tyre në rritjen ekonomike.
Rreziku klimatik dhe nevoja për reforma
Një tjetër shqetësim i madh lidhet me ekspozimin e sektorit të transportit dhe energjisë ndaj ndryshimeve klimatike. Financimi për menaxhimin e fatkeqësive dhe mbrojtjen e mjedisit konsiderohet i pamjaftueshëm, ndërsa për t’u afruar me standardet rajonale Shqipërisë do t’i duhet të rrisë shpenzimet për klimën dhe mjedisin me 0.4–0.9 për qind të PBB-së.
Banka Botërore rekomandon përmirësimin e përzgjedhjes së projekteve infrastrukturore, rritjen e transparencës, forcimin e institucioneve dhe monitorimin më të rreptë të investimeve. Sipas raportit, problemi nuk qëndron vetëm te niveli i lartë i shpenzimeve në transport, por mbi të gjitha te cilësia dhe efikasiteti i tyre, elementë vendimtarë për zhvillimin ekonomik dhe integrimin europian.